UBT News

​Kërkohet nga institucionet të zhvillojnë politika të punësimit për komunitetet jo shumicë

Rrjeti i OJQ-ve për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, ka kërkuar veprime konkrete nga institucionet për luftimin e diskriminimit dhe sfidave me të cilat përballen këto komunitete në Kosovë. Përmes një deklarate publike, u bë thirrje që të respektohen të drejtat e njeriut, në fokus të veçantë ato të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Zëdhënësja e këtij rrjeti të OJQ-ve, Kiki Rrahmani, tha se institucionet duhet të zhvillojnë politika të punësimit për këto komunitete.

Ajo tha se vetëm vitin e kaluar kanë evidentuar mbi 70 raste të diskriminimit ndaj këtyre tri komuniteteve jo shumicë. Sipas saj, këto raste theksojnë nevojën për një reagim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të institucioneve për të parandaluar përsëritjen e tyre.

“Këto raste theksojnë nevojën për një reagim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm nga institucionet për të parandaluar përsëritjen e tyre. Rrjeti ynë bën thirrje për zbatimin efektiv të ligjit kundër diskriminimit, sigurimi i mundësive të barabarta për çdo qytetarë pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe ndëshkimit. Ne theksojmë nevojën për mekanizma më të fuqishëm që të monitorojnë dhe ndëshkojnë rastet e diskriminimit institucional… Investime në arsim dhe programe mbështetëse për të siguruar që fëmijët e komuniteteve të kenë qasje më të barabartë në arsimim cilësor. Zhvillime të politikave të punësimit, përfshirja e kuota të punësimit dhe programeve për të mundësuar pozicionim ekonomik të komuniteteve”, tha ajo.

Detaje për rastet e diskriminimeve, dha drejtoresha e këtij rrjeti të OJQ-ve, Vesa Batalli.

“Një prej rasteve të diskriminimit sidomos në arsim ka qenë rasti në Pejë, me nxënësit e një shkolle të cilët nuk kanë marrë pjesë në festën e abetares…Rastet e tilla marrin vëmendjen prej institucioneve vetëm atëherë kur bëhen publike prej mediave. E njëjta ka ndodhur edhe në Ferizaj, ku janë therur me thikë tre persona të komuniteteve jo shumicë prej një personi i cili sapo ishte liruar nga burgu. Kjo ka qenë me motive etnike….Ka tendencë edhe institucionet në një formë me ruajt qetësinë dhe mos me reagua dhe me bërë senet e mëdha”, tha ajo.

Megjithatë, ajo tha se pjesëmarrja e fëmijëve të komuniteteve në arsim është në rritje, mirëpo ende ka tendencë që prej klasës së gjashtë dhe në shkollë të mesme fëmijët nga këto tri komunitete të braktisin shkollimin.

Sipas saj, diskriminimi i fëmijëve në shkolla ndodh më shumë nga bashkëmoshatarët e tyre shqiptar sesa nga mësimdhënësit.

“Pjesëmarrja e fëmijëve të komuniteteve në arsim qoftë në fillor dhe atë të mesëm është në rritje. Diku rreth 87 për qind ka qenë pjesëmarrja e fëmijëve të komuniteteve në shkolla fillore. Rënia vjen në vazhdimësi në shkollën e mesme, apo prej klasës së pestë apo gjashtë kemi një braktisje të shkollës. Në parim pjesëmarrja është në rritje. Në teren kemi pa sfida dhe ankesa të nxënësve që përjetojnë diskriminim jo nga mësimdhënësit por nga fëmijët e komunitetit shumicë”, theksoi ajo.

Mes tjerash, u kërkua edhe nga mediat të shmangin përdorimin stereotipave për këto tri komunitete.

Exit mobile version