Rita Ora theksoi se nuk do të kufizohet vetëm në rolin e muzikantes, teksa foli për fuqizimin e grave gjatë pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, që po zhvillohet në Xheda të Arabisë Saudite.
Gjatë eventit Women In Cinema, artistja 35-vjeçare u shpreh se vazhdon të sfidojë veten dhe të zgjerojë horizontet artistike:
“Shpesh njerëzit e kufizojnë veten në një kategori të vetme, por kjo nuk është e nevojshme. Unë e shoh veten si fillestare, se jam duke mësuar. Nuk duhet të hysh në një hapësirë duke menduar se nuk ke fuqi – sepse e ke,” tha Rita.

Edicioni i sivjetshëm vë në qendër kinemanë botërore, me fokus te kineastët arabë dhe talentet rajonale. Rita u shfaq elegante në tapetin e kuq dhe mahniti publikun me performancën e saj, e veshur me një fustan të dizajnerit Elie Saab, me bust floral dhe fund voluminoz.
Duke folur për figurat që e frymëzojnë, veçoi nënën e saj si modelin kryesor, e përmendi ikonat e muzikës si Madonna, Blondie dhe Cher:
“Janë gra që kanë bërë shumë më tepër se një gjë në jetë, dhe kjo më frymëzon edhe mua. Është e mrekullueshme të shohësh si po thyhen kufijtë tradicionalë,” u shpreh artistja.
Ora shtoi se temat që prekin gratë, nga barazia te tabu si menopauza, po marrin shumë vëmendje në diskursin publik. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes mes grave:
“Nuk e imagjinoj një botë pa këtë energji dhe unitet. Jam me fat që e përqafoj këtë frymë dhe dua ta çoj përpara për brezat që vijnë.”
Festivali ka mbledhur mysafirë nga e gjithë bota në Cultural Square, në lagjen historike Al-Balad të Xhedës, për të shënuar edicionin e vitit 2025 me temën “For the Love of Cinema”.
Rita Ora ishte ndër figurat më të spikatura të tapetit të kuq, duke dëshmuar edhe një herë se, përtej muzikës, është një zë i fuqishëm për barazi dhe përfshirje në art dhe shoqëri. /A.Z/UBT News/
