Këngëtarja dhe aktorja me prejardhje shqiptare Rita Ora i është bashkuar kastit të filmit të ri “Honeymoon With Harry”, prodhim i Amazon MGM Studios, ku do të luajë përkrah aktorëve të njohur si Kevin Costner, Jake Gyllenhaal dhe Sarah Pidgeon.
Detajet mbi rolin e saj ende nuk janë bërë publike. Ky projekt shënon një tjetër bashkëpunim të Orës me Amazon, pas pjesëmarrjes në filmin “Voltron”.
Filmi, i bazuar në librin e Bart Baker, ndjek historinë e një burri me karakter të vështirë, i cili detyrohet të udhëtojë me babanë mbrojtës të të fejuarës së tij, pasi planet për muajin e mjaltit ndryshojnë papritur. Ngjarja zhvillohet në një ishull, ku përplasjet mes tyre shndërrohen gradualisht në një lidhje të papritur. Regjia i është besuar Glenn Ficarra dhe John Requa, ndërsa skenari është shkruar nga Dan Fogelman.
Ky rol vjen në një periudhë të suksesshme për Rita Orën, e cila po zgjeron praninë e saj në industrinë e filmit, krahas karrierës muzikore. Ajo pritet të shfaqet edhe në projektin e ri të Disney, “Descendants: Wicked Wonderland”, ku rikthen rolin e Mbretëreshës së Zemrave.
