Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka folur hapur për rrugëtimin e saj nga një fëmijë refugjat nga Kosova në një prej artisteve më të suksesshme në botë, duke theksuar se ndihet krenare për origjinën e saj dhe për faktin që është emigrante.
Në një intervistë për The Times, artistja 35-vjeçare kujtoi se familja e saj u largua nga Prishtina në fillim të viteve ’90 për shkak të përndjekjes së shqiptarëve në Kosovë. Në Britaninë e Madhe, nëna e saj, Vera, u rikualifikua si psikiatre, ndërsa babai, Besniku, nisi një jetë të re duke menaxhuar një lokal në Londër.
“Gjithçka që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për arsimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh Ora, duke shtuar se shumë emigrantë kanë një motivim të veçantë për të dëshmuar veten.
Ajo zbuloi gjithashtu se do të dëshironte të luante në një film të bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi.
“Absolutisht. Çuditem që nuk ka ndodhur ende. Gjithçka varet nga skenari dhe historia, por është një nga ëndrrat tona”, tha këngëtarja.
Në një intervistë tjetër për Women’s Health UK, Ora tregoi se kishte ngrirë vezët në moshën 24 dhe 27-vjeçare, pas këshillës së mjekëve, duke e cilësuar atë si një nga vendimet më të mira që ka marrë.
Ajo tha se tani, së bashku me Taika Waititin, po mendojnë seriozisht për të zgjeruar familjen.
“Më pëlqen shumë koha që kaloj me vajzat e Taikas dhe do të doja ta zgjeronim familjen. Dikur mendoja se me karrierat tona kjo ishte e pamundur, por Jacinda Ardern më frymëzon. Ajo tregoi se një grua mund të jetë njëkohësisht nënë dhe e suksesshme në punë”, u shpreh Rita Ora.
Ora dhe Waititi u njohën në vitin 2018, ndërsa lidhja e tyre romantike nisi tre vjet më vonë. Çifti janë të martuar prej gati katër vjetësh./A.K/
