UBT News

Rinisin bisedimet bërthamore të Iranit, fokusi i Teheranit qëndron në lehtësimin e sanksioneve

Bisedimet indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015 kanë rifilluar të hënën.

Raundi i shtatë i bisedimeve, i pari nën presidentin e ri, Ebrahim Raisi, përfundoi 10 ditë më parë me shtimin e disa kërkesave të reja. Fuqitë perëndimore thanë se përparimi ishte shumë i ngadalshëm dhe negociatorëve u kishin mbetur “javë, jo muaj” përpara se marrëveshja e 2015 të bëhej e pakuptimtë.

“Nëse punojmë shumë në ditët dhe javët në vijim, duhet të kemi një rezultat pozitiv… Do të jetë shumë e vështirë, do të jetë shumë e vështirë. Vendime të vështira politike duhet të merren si në Teheran ashtu edhe në Uashington”, tha në një konferencë shtypi koordinatori i bisedimeve, i dërguari i BE-së, Enrique Mora.

Ai foli menjëherë pas një takimi të palëve të mbetura në marrëveshje – Irani, Rusia, Kina, Franca, Britania, Gjermania dhe Bashkimi Evropian – takim ky që filloi zyrtarisht raundin e bisedimeve të hënën në mbrëmje.

“Ka një ndjenjë urgjence në të gjitha delegacionet që ky negocim duhet të përfundojë në një periudhë relativisht të arsyeshme kohore. Përsëri, nuk do të vendosja kufij, por ne po flasim për javë, jo për muaj”, tha Mora.

Irani refuzon të takohet drejtpërdrejt me zyrtarët amerikanë, që do të thotë se palët e tjera duhet të përcjellin të rejat mes dy palëve. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht zhgënjimin për këtë format, duke thënë se ai ngadalëson procesin dhe zyrtarët perëndimorë ende dyshojnë se Irani thjesht po luan për kohën./UBTNews/

Exit mobile version