UBT News

“Rindërtimi i Ukrainës shkon përtej restaurimit të mureve që kishim”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës televizive drejtuar kombit e përshëndeti të hënën si një “ditë shumë të rëndësishme” pasi filloi një konferencë kushtuar rimëkëmbjes së vendit të tij në Lugano të Zvicrës.

Por ai tha se rindërtimi i Ukrainës duhet të shkojë përtej “restaurimit të mureve që kishim dhe që u shkatërruan nga granatimet”.

“Ukraina duhet të bëhet vendi më i lirë, më modern dhe më i sigurt në Evropë – në çdo kuptim të fjalës, në veçanti, për sa i përket mjedisit tonë. Jam i sigurt që do ta bëjmë”, tha ai.

Zelensky paralajmëroi se përpjekjet për rimëkëmbjen nuk duhet të fokusohen vetëm në vitet e ardhshme, por edhe në të tashmen.

“Forcat ukrainase çliruan më shumë se një mijë vendbanime nga pushtuesit dhe shtohen [vendebanime] të reja çdo javë. Tani, për shembull, në jug të vendit tonë. Të gjithë ata pësuan shkatërrim në shkallë të gjerë. Dhe kjo nënkupton edhe nevojën për fonde kolosale për restaurimin e infrastrukturës, për rikthimin e mjekësisë dhe shërbimeve sociale, për rivendosjen e jetës normale ekonomike. Vetëm në zonat e çliruara ka dhjetëra mijëra shtëpi të shkatërruara”, tha ai, duke shtuar se “një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë është shkatërruar”.

“Kjo është arsyeja pse rimëkëmbja e Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me atë që duhet bërë më vonë, pas fitores sonë, por edhe me atë që duhet bërë në këtë kohë. Dhe ne duhet ta bëjmë atë së bashku me partnerët tanë, me të gjithë botën demokratike. Ta bëjmë tani”, tha ai./UBTNews/

Exit mobile version