Rina Lipa, motra më e vogël e këngëtares Dua Lipa, ka nisur një bashkëpunim të ri me gjigantin e modës online ASOS, i cili ka publikuar një seri fotografish ku modelja dhe kërcimtarja prezanton kombinime të ndryshme veshjesh.
25-vjeçarja, e cilësuar më parë si një nga “Gen Z It Girls”, vazhdon të tërheqë vëmendjen në botën e modës, ndërsa në kuadër të këtij bashkëpunimi do të mbajë rolin e Drejtoreshës Kreative për Dilemat e Stilit.
Në këtë rol, Rina do t’i ndihmojë ndjekësit të zgjidhin dilemat e përditshme të stilit përmes përmbajtjeve që do të publikohen në TikTok dhe Instagram, duke ofruar ide dhe kombinime të ndryshme mode.
“Drejtoresha jonë e Dilemave të Stilit sapo zbuloi vendin që ka të gjitha përgjigjet. Gardëroba juaj e verës tashmë është gati, e stiluar nga @rinalipa”, thuhet në postimin e ASOS.
Rina pason influenceren irlandeze Olivia O’Neill, e njohur si Out of Office Director e ASOS, e cila ia dorëzon simbolikisht rolin në videon promovuese të bashkëpunimit.
Në fotografitë e publikuara, Rina shfaqet me disa kombinime elegante verore. Në njërën prej tyre ajo vesh një fustan mini me grep në ngjyrë të verdhë, të zbukuruar me thekë argjendi, ndërsa në një tjetër paraqitet me një fustan mini ngjyrë argjendi, të kombinuar me këpucë të zeza dhe flokët e lëshuara.
Në një stil më casual, ajo pozon me një bluzë kafe me lidhje pas qafe, pantallona të shkurtra xhins dhe atlete Nike.
Përzgjedhja e Rinës për këtë rol nuk vjen rastësisht. Revista Tatler e ka cilësuar më parë si një nga emrat më premtues të brezit të ri në modë, ndërsa gjatë karrierës së saj ka modeluar për Red Valentino, ka bashkëpunuar me Nasty Gal dhe së fundmi ka siguruar edhe rolin e saj të parë të rëndësishëm në një film horror./A.K/
