Me një ceremoni solemne është bërë rihapja e terminalit doganor në Mitrovicë te kompleksi i Trepçës.
Të pranishëm ishin në këtë ceremoni kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli e drejtori i Përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu.
Kurti tha se padrejtësisht është larguar ky terminal, për t’iu dhënë një biznesi privat. Ai ka shtuar se me rihapjen e terminalit përfiton ekonomia e vendit.
“Sot është ditë me rëndësi për neve, është një arritje edhe për Kosovën, Trepçën dhe për ekonominë në përgjithësi, e në veçanti ndihmon të bërit biznes dhe hiqet një kosto e panevojshme për ta”.
“Nga viti 2003 padrejtësisht e çuditërisht, kjo hapësirë është larguar nga Trepça dhe iu është dhënë një biznesi privat dhe në këtë mënyrë ka humbur Trepça dhe ka fituar një privat. 7 vjet më vonë, ne po e rikthejmë atë që i ka takuar çdo herë Trepçës. Aso kohe, 24 punëtorë kanë punuar dhe kanë mbetur papunë pasi i larguan këtë terminal. Maunet që vijnë nga Bernjaka, nuk kanë nevojë të kalojnë nëpër qytet por ndalën këtu dhe nuk do të krijohen kolona të gjata. Pra të gjithë janë fitues nga kjo hapje”, tha ai.
Mirënjohës për rihapje të këtij terminali, u shpreh drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, duke e konsideruar si hap shumë të rëndësishëm për ekonominë edhe bizneset.
“Jam shumë mirënjohës nga Qeveria që ka bërë gjithçka për rihapjen e këtij terminali. Rihapja e saj është me rëndësi në dimensione të ndryshme dhe për ekonominë dhe bizneseve, sepse iu mundëson kosto më të ulët”, deklaroi ai.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u zotua edhe për investime të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, duke theksuar se Trepça është prioritet i Qeverisë.
Ministri i Financave dhe Tranafereve, Hekuran Murati, tha se deri synojnë që deri në gjysmën e vitit të ardhshëm të hapen në tërë Kosovën terminale të tilla.