UBT News

Rihapet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Agonis Tetajt

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018-të. Gogaj po akuzohet edhe armëmbajtje pa leje.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, pas mbajtjes së seancës për këshillim dhe votim dhe pas vlerësimit të parashtresës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar me të cilën ka kërkuar që të rihapet shqyrtimi gjyqësor, kërkesës së të dëmtuarit I.T për përjashtim të trupit gjykues, kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për shtyrjen e seancës gjyqësore në kohë të pacaktuar dhe rihapjen e shqyrtimit gjyqësor me pretendimin se kërkojnë edhe një herë të shqyrtohen provat dhe do të parashtrohen prova të reja, parashtresën dhe vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit për caktimin e një prokurori tjetër të Prokurorisë Themelore në Gjilan për ta përfaqësuar aktakuzën, vendimin e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë për refuzimin e kërkesës së të dëmtuarit për përjashtimin e trupit gjykues, në çështjen penale ndaj të pandehurit Sh.G i akuzuar për vepër penale të rikualifikuar të vrasjes nga pakujdesia nga neni 181 të KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së dhe të pandehurit I.C, të akuzuar për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së, konform nenit 359 par.1 të KPRK-së, vendosi që të rihapet shqyrtimi gjyqësor ashtu që të shpallet e papërfunduar procedura penale në këtë çështje meqenëse, është e nevojshme të plotësohet procedura penale”, thuhet në komunikatën për media nga Gjykata Themelore e Pejës.

Gjithashtu, kjo gjykatë ka revokuar aktvendimin procedural për pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit SH.G dhe ka caktuar shqyrtimin gjyqësor të radhës, me datë 21.04.2021, nga ora 11:00.

Gjykata obligoj prokurorin e çështjes që më së largu deri me datë 07.04.2021, të dërgoj provat e reja të pretenduara poashtu, palët e tjera në procedurë nëse kanë prova të reja për të parashtruar t’i sjellin gjer me datën e cekur. Poashtu, u refuzua propozimi i mbrojtësit të pandehurit Sh.G për ndërrimin e masës ashtu që mbetet në fuqi aktvendimin i fundit i gjykatës për vazhdim të paraburgimit.

Exit mobile version