UBT News

Rihapet linja ajrore Kosovë-Kroaci, fuqizon marrëdhëniet mes dy vendeve

Në terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është inauguruar fluturimi i parë Zagreb-Prishtinë-Zagreb.

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Kroacisë kanë vlerësuar se rihapja e linjës ajrore është e rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve miqësore mes këtyre dy shteteve.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se kjo linjë ajrore, e cila i ka munguar të dyja shteteve, është e rëndësishme për qarkullimin e dy popujve, e që do të ketë impakt edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.

“Është një ditë e rëndësishme për shtetin tonë, që sot po fillon linja ajrore Zagreb-Prishtinë-Zagreb, linjë ajrore e cila i lidhë dy shtetet mike. Kjo linjë është jashtëzakonisht e rëndësishme për qarkullimin e dy popujve tanë edhe përmes linjave ajrore, linjë e cila na ka munguar. Kjo linjë do të shërbejë edhe për lidhjen e bizneseve të dyja shteteve, për kulturat tona, dhe sidomos një rëndësi të jashtëzakonshme për neve ka edhe për diasporën, të cilën ne e kemi në Kroaci”, tha Durmishi.

Ne këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe ministri i Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butkovic, i cili tha rihapja e linjës ajrore, është edhe një hap më tej për fuqizimin e marrëdhënieve miqësore Kroaci-Kosovë.

“Ky është një hap tutje për fuqizimin e marrëdhënieve tona miqësore mes Kosovës dhe Kroacisë. Kroacia dhe Kosova edhe në vitin 2010 e kanë pasur një linjë ajrore, por ndodhi një ndërprerje në vitin 2018. Me forcat e bashkuara dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës kemi arritur që ta rikthejmë këtë linjë ajrore. Si për sektorin e ekonomisë dhe atë ajror, kjo linjë është shumë e rëndësishme dhe besoj e shpresoj që kjo linjë nuk do të ndërpritet ashtu siç ndodhi në të kaluarën”, theksoi Butkovic.

Gokmen Aritay nga kompania “Limak” tha linja ajrore që po nis sot do të shërbejë për partneritetin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

“Ky është një tjetër hap përpara ndërmjet tregtimit ajror dhe bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës dhe Kroacisë. Ne jemi shumë të lumtur që kjo lidhje ajrore do të ndikojë në partneritetin e mëtejmë”, tha ai.

Linja ajrore e cila është rihapur sot, Zagreb-Prishtinë-Zagreb do të ketë tri fluturime në javë, të hënave, të mërkurave dhe të shtunave.

Exit mobile version