Dy nga ikonat më të mëdha të kinemasë botërore, Robert De Niro dhe Al Pacino, janë ribashkuar sërish — këtë herë jo në një film, por për fushatën e re të marketingut të brendit “Moncler”, të titulluar “Më ngrohtë së bashku”.
Dy aktorët legjendarë, që kanë ndarë skenën në filma si “The Irishman” (2019), “Righteous Kill” (2008), “Heat” (1995) dhe “The Godfather Part II” (1974), shfaqen në një rol më të qetë dhe reflektues — si miq të vjetër që bisedojnë për jetën, miqësinë dhe ngrohtësinë njerëzore.
Në reklamë, De Niro dëgjohet duke thënë: “Ngrohtësia asnjëherë s’ka të bëjë me motin jashtë, por me atë që ndodh brenda nesh.”
Ndërsa Pacino i përgjigjet: “Shoqëria është gjëja më e mirë që mund të kesh.”
Kampanja, e cila është xhiruar në New York nga fotografi Platon, paraqet të dy aktorët në imazhe bardh e zi, duke reflektuar mbi lidhjen e tyre të gjatë dhe simbolikën e ngrohtësisë njerëzore.
Përveç fotografive, fushata përfshin edhe video të shkurtra, ku në sfond dëgjohet kënga klasike “Lean on Me” nga Bill Withers.
Drejtori kreativ i “Moncler”, Remo Ruffini, tha për The Hollywood Reporter se fushata përfaqëson vlerat themelore të brendit:
“Këto xhaketa nuk kanë të bëjnë vetëm me të ftohtin, por me dashurinë. Vlera ka formuar çdo gjë që kemi bërë gjatë 70 viteve të fundit.”
Sipas tij, Pacino dhe De Niro mishërojnë më së miri këto vlera — miqësinë, respektin dhe ndjenjën e përbashkët njerëzore — që e bëjnë “Moncler” një simbol të ngrohtësisë përtej modës. /A.Z/UBT News/