Oleksiy Reznikov tha se zyrtarët perëndimorë të mbrojtjes i thanë atij se mbështetja e tyre ushtarake për Ukrainën “nuk do të ndalet kurrë”.
Në një intervistë ekskluzive, Reznikov tha për CNN se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ai i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë thanë: “Oleksiy, mos u shqetëso, ne nuk do të ndalemi. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë vendin tuaj, popullin tuaj dhe presidentin tuaj”, tha ai.
“E dëgjova dje dhe e ndjeva absolutisht sinqerisht, pashë sytë e Lloyd Austin për shembull … pashë mirëkuptimin e vërtetë se ata nuk do të ndalen kurrë” tha Reznikov.
Ai tha se zotimet e SHBA-së dhe Perëndimit nuk janë vetëm për mbështetje ushtarake, por edhe financiare, ekonomike dhe politike.
“Unë mendoj se ata [aleatët perëndimorë] kanë vendosur që duan të jenë partnerë në këtë fitore”, tha Reznikov.
Ai shtoi se aleatët perëndimorë tani e kuptojnë se ideja për të mos provokuar Rusinë për të shmangur konfliktin – nuk funksionon.
Rusia tani konsiderohet si një kundërshtar dhe jo një partner strategjik nga NATO, tha ai.
“Jam i sigurt se Rusia është kërcënimi kryesor për NATO-n, vendet e BE-së dhe kërcënimi kryesor për sistemin botëror të sigurisë”, tha ai./UBTNews/