Rezistenca ndaj insulinës është një gjendje kur insulina nuk arrin të kryejë efektin e saj normal mbi indet e trupit.
Qelizat nuk i përgjigjen si duhet sinjaleve që insulina jep për të rregulluar nivelet e sheqerit e për të drejtuar lëndët ushqyese aty ku duhen.
Roli i insulinës në trup:
Insulina është hormon kyç për metabolizmin e ndihmon muskujt dhe indet të marrin glukozën pas ngrënies.
Pengon prodhimin e tepërt të glukozës në mëlçi, nxit krijimin e rezervave të energjisë si glikogjen në muskuj dhe mëlçi.
Drejton tepricat e energjisë drejt qelizave dhjamore. Kur ky mekanizëm nuk funksionon siç duhet, glukoza qëndron më gjatë në gjak.
Pankreasi reagon duke prodhuar më shumë insulinë, duke shkaktuar hiperinsulinemi (nivele të larta insuline në gjak).
Si lidhet me obezitetin dhe diabetin?
Mungesa e aktivitetit bën që muskujt të marrin pak glukozë, ndërsa yndyrnat grumbullohen në qeliza, insulina pengon përdorimin e yndyrës si burim energjie, ndaj trupit i bëhet më e vështirë të djegë rezervat e dhjamit.
Personat me këtë gjendje ndihen të uritur vazhdimisht edhe pse ushqehen më pak, e kanë të vështirë të humbasin peshë.
Me kalimin e kohës, qelizat beta të pankreasit lodhen dhe shkatërrohen, duke çuar në diabet tip 2. Rezistenca ndaj insulinës lidhet edhe me obezitetin abdominal, hipertensionin, ngurtësimin e enëve të gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Në kombinim, këto rrisin rrezikun për infarkt, goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe madje edhe disa lloje kanceri.
Si diagnostikohet?
Matja e glukozës dhe insulinës në gjak esëll. Sa më e lartë të jetë shifra e kombinuar, aq më e madhe rezistenca.
Testi i tolerancës ndaj glukozës, pas marrjes së 75 g glukozë, matet reagimi i trupit. Varianti pesëorësh (me matje çdo orë) është më i saktë se testi dyorësh që përdoret zakonisht.
Shenja paralajmëruese: hipoglicemi (niveli i ulët i glukozës) disa orë pas një vakti me karbohidrate, shoqërohet me djersitje, dridhje dhe uri.
Kush është më i rrezikuar?
Personat obezë, sidomos ata me bark të madh, ata që kanë familjarë me diabet tip 2 ose sëmundje kardiovaskulare.
Pacientët me hipertension ose sëmundje të zemrës, gratë me histori diabeti gestacional, sindromë të vezoreve policistike, ose që kanë lindur fëmijë me peshë të lartë. Persona që kanë peshë të ulët në lindje.
Gratë mbi 35–40 vjeç me çrregullime të ciklit menstrual ose akne të vonshme.
Si trajtohet?
Trajtimi kombinon medikamentet (p.sh. metformina ose pioglitazoni, sipas mjekut) me ndryshime të stilit të jetës.
Ushqimi
Ulje e kalorive në nivelin e nevojshëm për metabolizëm. Shmangia e ushqimeve që nxisin sekrecion të lartë insuline (sheqerna, niseshte, produkte mielli). Përdorimi i ushqimeve me indeks glikemik të ulët.
Interval më i gjatë mes vakteve për të ulur nivelin e insulinës dhe për të përdorur rezervat e dhjamit.
Aktiviteti fizik
Zbraz depozitat e glikogjenit në muskuj dhe bën që ata të përdorin më shumë glukozë e yndyrë, përmirëson ndjeshmërinë e qelizave ndaj insulinës dhe ndihmon në humbje peshe. /A.Z/UBT News/