Vila Mussolini, rezidenca verore e dikurshme e diktatorit italian në Riccione, pranë Riminit në bregdetin Adriatik, është blerë nga këshilli lokal për 1.2 milionë euro, kanë konfirmuar autoritetet komunale.
Kryetarja e bashkisë, Daniele Angelini, e përshkroi blerjen si një “vendim largpamës”: “Riccione nuk e mohon të kaluarën e saj komplekse, por e trajton atë në mënyrë kritike përmes kulturës.”
Ndërtesa, ndërtuar rreth vitit 1890, u bë pronë e familjes Mussolini në 1934 dhe përdorej si rezidencë verore. Pas Luftës së Dytë Botërore, vila kaloi në pronësi shtetërore dhe më pas te një fondacion. Komuna planifikon ta përdorë si qendër kulturore dhe ekspozuese, duke ruajtur emrin “Villa Mussolini”.
