Akademiku Rexhep Qosja u nderua në Prishtinë me Kordonin e Madh, me Yllin e Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike nga Edi Rama, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.
Profesor Qosja vlerësoi fillimisht në fjalën e tij kryeministrat Rama dhe Kurti, ndërsa më pas theksoi se takimi i kësaj të hëne duhet të shkojë më tej, të zhvillohet më shpesh, si dhe të shërbejë për njësimin e idealeve dhe qëllimeve politike të dy shteteve shqiptare.
“Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipërisë në 30 viteve të fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, i cili ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politikane shqiptare. Edi Rama është edhe intelektual, intelektual krijues, piktor dhe shkrimtar. E ndjej veten të privilegjuar që ky nderim m’u bë sot këtu në Prishtinë dhe e ndjej veten mirë që ky nderim i veçantë u bë pas takimit të dy delegacioneve, shqiptar dhe të Kosovës.
Dua të them se si Rama dhe Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Atë e shquan një cilësi e veçantë, duhet ta dëgjojmë kur paraqitet në televizione apo mbledhje të ndryshme. Duhet të dëgjojmë intervistat e tij për të parë e për t’u bindur që ai ka një kujtesë të jashtëzakonshme. Ka të dhëna sa një bibliotekë mbi historitë e Europës e SHBA-së.
Ata janë edhe të kritikuar edhe me arsye, por edhe pa arsye. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike shoqërore, sjellin nxitje për përkushtime të reja. Fjala intelektual është krijuar diku nga fundi i mesjetës dhe fillimi i rilindjes europiane. Atëherë kur është krijuar fjala intelektual kishte kuptimin koka e popullit. Kjo fjalë i obligon intelektualët, sidomos ata që merren me politikë, pasi merren me jetën, të sotmen dhe të ardhmen e popullit.
Fillimi i shekullit të 21 na ka premtuar një gjasë, një shans historik, për ta përmirësuar fatin tonë e fati ynë ka qenë shumë i rëndë. Vetëm shqiptarët janë ata në Ballkan që janë copëtuar në 5 shtete. Nuk i ka ndodhur të tjerëve, por vetëm shqiptarëve. Kryeministri britanik i asaj kohe ka thënë në atë rast, shqiptarët janë komb dhe ndaj tyre kemi bërë padrejtësi të madhe, të cilën një ditë do ta korrigjojmë. Natyrisht, tani kanë filluar ta korrigjojnë, që prej vitit 1999. Kjo gjasë që kemi për të bërë përpjekje për ta ndryshuar fatin tonë historik na bën shumë përgjegjës të gjithëve. Takimi i sotëm i dy delegacioneve mua më solli shumë gëzim dhe u solli gëzim të gjithë shqiptarëve. Ky ishte një takim shumë premtues, o sa bukur, sa bukur duket kjo pamje e politikanëve e ministrave të Shqipërisë. Duket bukur dhe premton shumë. Unë i lejoj vetes, mosha që jam, prej 85 vitesh, më jep të drejtë morale që t’i ftoj kryeministrin Rama dhe Kurtin të takohen si sot më shpesh, të takohen qeveritë e tyre, të mbajnë mbledhje qeveritë e tyre. Në ato takime, në ato mbledhjet e tyre që bëjnë, të njësojnë një ideal të përbashkët që na e ka lënë epoka më e madhe në historinë shqiptare, epoka e Rilindjes, që e kanë formuluar burrat më të mirë të historisë shqiptare, si të krijojmë Shqipërinë, si të krijojmë shqiptarin. Pra, të njësojnë idealin dhe qëllimet politike”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.