Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, theksoi rëndësinë e kontrollimit të lojës në mesfushë dhe angazhimin e të gjithë ekipit për të fituar kundër Rumanisë.
“Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Besoj se jemi gati, e dimë se çfarë atmosfere na pret, por ne jemi futbollistë profesionistë të gjithë, jemi të përgatitur 100 përqind për ndeshjen kundër Rumanisë. Na duhet që ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë së bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë. Do të luajmë të bashkuar në mënyrë që ta dominojmë lojën”, tha Rexhbeçaj, duke premtuar se do të japë maksimumin për fitoren e Kosovës.
Në Grupin C2 të Ligës së Kombeve, Rumania kryeson me 12 pikë, ndërsa Kosova e ndjek me 9 pikë. Për të fituar grupin dhe për të avancuar në Ligën B, Kosovës i nevojitet një fitore më e thellë se 3:0 kundër rumunëve. Ndeshja vendimtare do të zhvillohet nesër në ora 20:45.