UBT News

“Revival of the River”: UBT dhe TH Lubeck prezantojnë projekte për integrimin e lumenjve të kryeqytetit

Në kuadër të bashkëpunimit mes UBT dhe Universitetit TH Lubeck nga Gjermania, më 15 janar 2025 u mbajt prezantimi final i modulit të përbashkët “Revival of the River”, një projekt që synon integrimin e lumenjve të Prishtinës në hapësirat publike. Ky modul, i realizuar përmes një prezantimi online, përfshiu punimet e studentëve nga të dyja institucionet, të cilët paraqitën projekte inovative për revitalizimin dhe integrimin e lumenjve të kryeqytetit në jetën urbane, me qëllimin për të krijuar hapësira të përdorshme dhe të qëndrueshme për qytetarët.

Në këtë modul, nga UBT kanë marrë pjesë 5 profesorë bashkë me studentët: Arbër Azemi, Laura Hakaj, Donart Zairi, Arneida Muçiqi, Qëndresa Hoxha, Nita Arifi, Arnisa Hyseni dhe Bardha Ukzeka, ndërsa nga TH Lubeck janë angazhuar 4 profesorë dhe 22 studentë. Pjesëmarrësit kanë paraqitur propozime inovative për revitalizimin dhe integrimin e lumenjve të kryeqytetit në jetën urbane, me qëllim krijimin e hapësirave të përdorshme dhe të qëndrueshme për qytetarët.

Punimet e këtij moduli do të prezantohen në një ekspozitë të organizuar në ditët në vijim, e cila do të paraqesë idetë dhe projektet e studentëve për Komunën e Prishtinës, si një mundësi për të kontribuar në zhvillimin urban të qytetit.

Ky është edicioni i dytë i këtij moduli të përbashkët, pas organizimit të tij në vitet 2023 dhe 2024. Ndërkohë, në vitin 2025, moduli do të zgjerohet, duke përfshirë UBT-në, TH Lubeck dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, për të sjellë një perspektivë më të gjerë dhe një bashkëpunim ndërkombëtar më të thellë në fushën e studimeve urbane dhe inxhinierisë./UBTNews/

Exit mobile version