UBT News

Reuters: ShBA-ja i ka miratuar pakot e para të armëve për Ukrainën

Pakot e para me ndihma armësh amerikane të administratës së presidentit Donald Trump janë miratuar dhe shpejt mund të nisen, përderisa Uashingtoni po e rinis dërgimin e armëve për Kievin – kësaj radhe sipas një pakti të ri financiar me aleatët – i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy burime të afërta me këtë çështje.

Ky është përdorimi i parë i një mekanizmi të ri të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për furnizimin e Ukrainës me armë nga rezervat amerikane duke përdorur fonde nga shtetet e NATO-s, raporton agjencia “Reuters”.

Nënsekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Elbridge Colby, ka miratuar dy dërgesa 500 milionë dollarëshe sipas mekanizmit të ri, i cili quhet “Lista e Kërkesave Prioritare të Ukrainës”, i njohur edhe me shkurtesën PURL, thanë burimet.

Bashkëpunimi i përtërirë transatlantik, me të cilin synohet fuqizimi i mbrojtjes së Ukrainës me armë në vlerë prej deri 10 miliardë dollarësh, vjen në kohën kur Trumpi ka shprehur zemërim me sulmet e vazhdueshme ruse ndaj vendit fqinj pavarësisht nga përpjekjet e tij për të arritur një përfundim të negociuar të konfliktit.

Deri më tani, administrata e Trumpit vetëm i ka shitur armë Ukrainës ose ka dërguar donacione që ishin miratuar nga ish-presidenti Joe Biden, i cili ishte mbështetës i palëkundur i Kievit.

Burimet refuzuan të tregonin saktë se çfarë lloji i armëve është miratuar për blerje nga evropianët për Ukrainën, por thanë se aty përfshihen sistemet e mbrojtjes ajrore, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjentisht, duke e marrë parasysh rritjen e madhe të numrit të sulmeve ruse me dronë e raketa.

Njëri nga burimet tha se lista PURL po lëviz rrugës nëpër proces, pasi u kalua nga njësia e politikave e Pentagonit. Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

“Janë gjërat që ata kanë qenë duke i kërkuar. Shumë gjëra. Është rrjedha që u ka mundësuar atyre që t’i stabilizojnë vijat deri më tani” – tha burimi.

Sipas ekspertëve, nevojat e Ukrainës mbeten të njëjta me ato të muajve të mëparshëm – mbrojtja ajrore, penguesit e raketave e dronëve, sistemet, raketat dhe artileria./D.B/EO

Exit mobile version