UBT News

Reshjet e shiut lehtësojnë situatën e zjarreve në Greqi

Reshjet e shiut kanë bërë që zjarret e furishme që përfshinë Greqinë dy javët e fundit të vihen nën kontroll.

Një zyrtar i zjarrfikësve tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se prej së enjtes nuk ka më zjarre masive aktive në Greqi. Situata me reshje gjatë dy ditëve të fundit i ka dhënë një ndihmë të mirë autoriteteve.

Sidoqoftë rreziku i riaktivizimit të zjarreve mbetet i lartë në të paktën katër rajone: rrethinat e Athinës, Atika, Peloponezi dhe ishulli i Evias.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha të enjten se vendi mund të jetë më optimist për situatën. Por edhe ai paralajmëroi se duke qenë ende në mes të gushtit “situata mbetet e vështirë”.

Mbi 580 zjarre janë regjistruar në Greqi prej 27 korrikut duke djegur e shkatërruar qindra shtëpi dhe biznese.

Zjarri më i madh që ra në ishullin Evia më 3 gusht, vijoi të kishte vatra aktive të enjten. Ky zjarr ka shkatërruar pjesën më të madhe të veriut të ishullit.

Qindra zjarrfikës nga vende si Ukraina, Serbia, Rumania, Moldavia, Sllovakia dhe Polonia iu bashkuan përpjekjeve të autoriteteve greke për t’i kontrolluar flakët. Po kështu Greqisë iu dërguan 9 helikopterë dhe 8 avionë, një prej të cilëve nga Rusia – avioni i stërmadh Ilyshin 11-76.

Autoritetet hamendësojnë se deri më tani janë djegur mbi 100 mijë hektarë pyje, ullishte dhe kullota./euronews.al

Exit mobile version