Reshjet e dendura që kanë përfshirë Evropën Qendrore kanë shkaktuar përmbytje masive dhe probleme të mëdha për komunitetet lokale. Zëvendëskryeministri i landit Niederösterreich, Stephan Pernkopf, i tha agjencisë austriake të lajmeve APA se “reshjet e dendura kanë shkaktuar dhe pritet të shkaktojnë edhe më shumë përmbytje në të gjithë rajonin.”
Në natën që i parapriu ditës së diel, zjarrfikësit kanë kryer gati 4500 aksione emergjente. Në disa komuna në veri të Vjenës, njerëzit janë bllokuar nëpër shtëpitë e tyre nga përmbytjet, dhe ekipet e emergjencës kanë përdorur helikopterë dhe gomone për shpëtimin e tyre. Shumë banorë pranë lumenjve janë njoftuar për të evakuuar shtëpitë e tyre.
Gjendja është kritike edhe në zonat e lumenjve Kamp dhe Krems, të cilët derdhen në Danub. Ky fenomen ka shtuar shqetësimet për përmbytje të mëtejshme në këto zona.
Përveç Austrisë, edhe Republika Çeke është prekur rëndë nga përmbytjet. Ekipet e shpëtimit janë vënë në gjendje emergjence, dhe katër persona konsiderohen të humbur pasi janë rrëmbyer nga masa e ujit. Rajoni më i prekur është lindja e vendit, në kufi me Poloninë. Kryebashkiaku i Cesky Tesin ka urdhëruar evakuimin e mijëra banorëve nga qendra e qytetit, për shkak të rrezikut që lumi Olsa, një degë e Oderit, të përmbyset jashtë shtratit të tij./UBTNews/