Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin sollën dëme të mëdha. Gjakova është një nga komunat më të prekura duke shkaktuar dëme të mëdha te bizneset dhe ekonomitë familjare.
Përmbytjet nuk kursyen as shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, në të cilën jeton nënë Ferdonije që ka humbur të katër djemtë dhe burrin në luftën e fundit në Kosovë.
Bodrumi i shtëpisë së nënë Ferdonije Qerkezit është i tëri nën ujë, mirëpo fatmirësisht nuk është arritur që të dëmtohet pjesa muzeale e shtëpisë, aty ku ruhen me fanatizëm kujtimet dhe dëshmitë e pakta mbi krimin makabër në këtë familje.
Megjithatë, në bodrum ku ruheshin pajisjet e qebaptores që dikur katër djemtë e nënë Ferdonije Qerkezit punon, janë shkatërruar nga uji.
Nënë Ferdonija tha se uji kishte filluar të depërtonte mbrëmjen e së dielës në ora 20:00, ndërsa ka vijuar tërë natën. Ajo tha se kishte frikë mos uji rritej në nivele më të larta dhe të përmbytej edhe kati i parë.
Qerkezi deklaroi se nuk ka pranuar ndihmë dhe ka angazhuar dikë me mjetet e saj ndërsa bëri apel që ta ndihmojnë në mënyrë që bodrumi i shtëpisë-muze të rikthehet në gjendje të mëparshme.
“Unë para dy ditëve kur hyri uji pata marrë një punëtor që e pagova vetë dhe nuk kam pasur ndihmë prej askujt. Kisha kërkuar ndihmë që kur të largohet uji të pastrohet vendi, të shihen dëmet, ato që janë dëmtuar duhet të hidhen”, deklaroi Ferdonije Qerkezi.
Më 27 mars 1999, forcat policore serbe kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e familjes Qerkezi, e në sy të Ferdonijes, rrëmbyen 11 burra, në mesin e tyre katër djemtë dhe burrin e saj dhe të tjerët që ishin atë natë në këtë shtëpi. Djali më i vogël i Ferdonijes ishte vetëm 14-vjeçar.