Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka bërë thirrje për unitet. Përmes një shkrimi në Facebook, Reshitaj ka kërkuar nga deputetët e Kosovës t’i lënë mesazhet e ndara nga foltoret dhe të bashkohen.
“Sot nuk mund të heshtim ndaj guximit të politikës serbe për të na kërcënuar kaq shumë dhe kaq hapur . Prandaj sot nuk është momenti që të ngrisim shqetësime e të japim mendime të ndara nga foltoret prej zyrave të partive, populli ka nevojë më shumë se kurrë të na shoh bashkë duke punuar për të dal faqebardhë nga kjo situatë përtej përçarjeve e divergjencave të brendshme politike.A nuk kemi marrë mjaftë mësime nga e kaluara e historisë sonë? T’i lëmë konferencat individuale e partiake me përçim mesazhesh për njëri tjetrin në vijë ajrore jo më shumë se disa metra. Mos të lejojmë që në këto ditë të errëta për vendin këto pak metra që na ndajnë të bëhen kilometra e rezistenca të rrezikshme, të palogjikshme e aq të panevojshme që mund të na rëndojnë edhe më tej përpjekjen tonë në mbrojtje të së vërtetës së luftës tonë çlirimtare”, shkroi mes tjerash Reshitaj në Facebook.
Ajo kërkoi nga politikanët t’i lënë anash dallimet partiake e politike, përçarjet e shpërfaqjen e fajeve nga brenda. Sipas saj, ‘nuk është momenti të tregojmë ligësi e dobësi, por forcë e unitet, Kosova ka nevojë për atdhedashurinë e secilit nga ne që të jemi zëri i fuqishëm i saj’./UBTNews