Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, ka thënë se tentativa për faljen dhe zvogëlimin e borxheve të ambalazhuesve të ujit ka pasur edhe në qeveritë e kaluara.
Reshitaj e cila ka qenë ministre e Mjedisit në Qeverinë Haradinaj, tha se grupet e interesit kanë tentuar që edhe duke anashkaluar atë si ministre që të falen borxhet, por që ka qenë e prerë se e njëjta është në kundërshtim ligjin në fuqi për resurset ujore.
“Tentativa për faljen e borxhit të këtyre operatorëve ekonomikë ka pasur edhe në qeveritë e kaluara. Fatkeqësisht nga grupe të ndryshme të interesit, qoftë brenda ministrisë apo operatorëve ekonomikë paketohej kjo situatë duke vendosur si viktimë të këtyre borxheve herë shfrytëzuesin dhe herë ministrinë…Edhe gjatë mandatit tim si ministre ka pasur tentime për zvogëlime të borxheve për këta operatorë ekonomik, por unë pas takimeve me përfaqësues të tyre dhe analizimit të bazës ligjore dhe konsultimit të fushës është vendosur se assesi me ligj nuk lejohet falja e resurseve ujore. Këto sqarime kanë qenë të qarta për mua dhe që nuk kanë lënë vend për dilema. Andaj nuk e kam proceduar si kërkesë faljen e ambalazhuesve të ujit. Është provuar që në fund të vitit 2017 që të falen borxhet duke më anashkaluar mua si ministre. Grupet e interesit krijuan një baypas duke më anashkaluar mua dhe zyrën ligjore që refuzuan të bëjnë një vendim të kundërligjshëm”, tha Reshitaj.
Deputetja Reshitaj, në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për ambalazhuesit e ujit, tha se tha se në MMPHI ka pasur shkelje në procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve.
Ajo përmendi një raport që është dorëzuar në ministri nga një grup punues i themeluar në vitin 2021, ku sipas saj të njëjtit nuk i janë dhënë në shqyrtim të gjithë operatorët ekonomik, por vetëm 14 nga 27 sosh.
“Këtij grupi punues nuk i janë dhënë në shqyrtim të gjithë operatorët ekonomik apo ambalazhuesit, por vetëm 16 prej tyren nga 27 që funksionojnë në Kosovë. Edhe nga këta 16, dy i kanë larguar si jofunksional, pra janë trajtuar vetëm 14 operatorë ekonomik nga 27 sa është dashur të trajtoheshin. Nga ky grup punues është nxjerr një raport që borxhi i përgjithshëm për vitin 2006-2021 është vetëm 21 milionë euro për të gjithë operatorët e trajtuar. Ndërsa sipas kalkulimeve të ekspertëve të fushës vetëm një operatorë i ka 3 milionë e 550 mijë euro…Për njërin nga këta operatorë që hyjnë ndër operatorët më të mëdhenj me pesë litra në sekondë ka paguar 13 mijë euro prej vitit 2009 deri në vitin 2021…I gjithë ky manipulim që mund të ketë ndodhur është bërë që të krijohet mundësia por edhe shantazhimet e operatorëve ekonomik. Në këtë mënyrë ata do të detyroheshin të krijojnë marrëveshje, përderisa vendimet financiare pas këtyre njoftimeve janë zvogëluar diku 90 për qind të borxhit. Unë jam informuar se Këshilli ndër-ministror ka qenë i njoftuar me shkrim për këtë gjakderdhje të mundshme financiare”, theksoi Reshitaj.