Reporterë pa kufij (RSF) nuk ka numëruar kurrë kaq shumë gazetarë të burgosur në mbarë botën sa ka numëruar këtë vit, me fajtorë kryesorë qeveritë në Bjellorusi, Mianmar dhe Kinë.
“Që nga 1 dhjetori, gjithsej 488 profesionistë të medias ishin në burg vetëm për kryerjen e detyrës së tyre”, sipas RSF, raporton atsh.
”Kjo është një rritje prej 20 për qind krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raportin vjetor të lirisë së shtypit”, që do të publikohet sot.
“Kjo rritje e jashtëzakonshme e ndalimit arbitrar i atribuohet më së shumti tre vendeve, qeveritë e të cilave janë indiferente ndaj dëshirës së qytetarëve të tyre për demokraci”, shkruajnë autorët e studimit.
Në Mianmar, ku ushtria rifitoi pushtetin me përmes grushtshtetit më 1 shkurt 2021, 53 gazetarë janë aktualisht në burg. Një vit më parë, ishin vetëm dy.
Në Bjellorusi, ku presidenti Aleksandër Lukashenko u rizgjodh në krye të vendit në gusht 2020, 32 gazetarë janë tani pas hekurave, nga shtatë sa ishin një vit më parë.
Rritja e kontrollit të Kinës mbi Hong Kongun ka çuar gjithashtu në një përkeqësim të situatës, pasi atje, Ligji i Sigurisë Kombëtare është përdorur si pretekst për ndalimin e të paktën 10 gazetarëve.
Më parë, statusi special i Hong Kongut e kishte bërë atë një model rajonal për respektimin e lirisë së shtypit.