Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbylli seancën për Kosovën me një replikë mes ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe homologut të saj serb, Nikola Selakoviq.
Zyrtari serb e akuzoi zëvendëskryeministren e Kosovës se gënjeu ndërsa Gërvalla tha se për gjithçka ndodhë në Kosovë burimi më i mirë janë raportet ndërkombëtare.
Fillimisht, ministri serb tha se nuk qëndron që 90% e serbëve kanë regjistruar veturat e tyre me targa të Republikës së Kosovës.
“Një gënjeshtër shumë brutale thoshte se 90% e targave serbe ishin regjistruar. Janë më shumë se 9000 persona që posedojnë automjete në pjesën veriore të Kosovës dhe vetëm dy prej tyre kanë riregjistruar targat e tyre. A është kjo 90%? Ndoshta ky është shembulli më i mirë se si këto gënjeshtra janë brutale”, tha Selakoviq.
Selakoviq tha se presidenti i tij, Aleksandër Vuçiq nuk është nazist siç e paraqet homologia e tij, Donika Gërvalla, por përkundrazi Albin Kurti është ai që promovon ide të tilla.
Ministri i Jashtëm serb sërish zuri në gojë Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen atje si të dyshuar për krime të supozuara gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.
“Kur flisni për krimet, mos harroni t’i tregoni këtij organi të shquar, ku është ish-presidenti juaj, ku është Hashim Thaçi, ku është Kadri Veseli, çfarë po bëjnë në paraburgimin në Hagë? Ata nuk janë duke luajtur letra, ata janë aty për t’u hetuar, dhe besoj do të dënohen për krimet e tmerrshme që kanë bërë kundër serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë”, tha ai.
Megjithatë, ministrja e Jashtme e Kosovës, tha se Selakoviq nuk ka guxim as ta thërrasë në mbiemrin e vajzërisë për shkak se “është një vrimë e madhe në ndërgjegjen kolektive të Serbisë për mbiemrin” Gërvalla.
“Ai as nuk mund të më thërrasë me mbiemrin tim, që nuk është Schwarz, ky është mbiemri i burrit tim. Mbiemri im është Gërvalla, dhe ka arsye të mira pse z. Selakoviq nuk mund ta shqiptojë këtë mbiemër sepse ishte Beogradi ai që e ndoqi babanë tim në Gjermani. Ai ishte gazetar, ai ishte shkrimtar dhe muzikant, dhe u vra vet i treti pas shtëpisë sonë nga shërbimi i sigurimit të Beogradit. Prandaj është kaq e vështirë të shqiptohet mbiemri Gërvalla, ose sido që mund të shqiptohej, sepse është një vrimë e madhe në ndërgjegjen kolektive të Serbisë për këtë mbiemër”, tha ajo.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës tha se të gjithë ata që mund te kenë dyshimet për raportimin e saj për Kosovën, mund të mos i besojnë duke iu rekomanduar të lexojnë raportet e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.
“Mos e dëgjoni z. Selakoviq, mos e dëgjoni ministren e Jashtme të Kosovës, vetëm lexoni raportet ndërkombëtare, filloni me më të rejat, me raportin më të ri të OSBE-së, shkoni me raportin e progresit të Bashkimit Evropian. Dhe pastaj vazhdoni të lexoni se çfarë raporton prezenca ndërkombëtare në Kosovë nga terreni sepse ndoshta mund të përpiqem t’ju mashtroj, edhe pse nuk do ta bëja kurrë për shkak të respektit që kam për këtë organ, por mos lejoni që edhe të tjerët t’ju mashtrojnë. Besojuni vetëm burimeve nga e dini se do t’ju thonë të vërtetën për progresin në Kosovë, për problemet në Kosovë dhe për atë që ka ndodhur në të kaluarën, çfarë po ndodh tani dhe si mund të jetë e ardhmja”, tha ajo.
Gërvalla tha se synimi i shtetit të Kosovës është që t’u japim një të ardhme më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.