Reperi amerikan Poorstacy, emri i vërtetë i të cilit është Carlito Milfort Jr., ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare pas një incidenti të ndodhur të shtunën në Boca Raton, Florida.
Lajmi u konfirmua nga Departamenti i Policisë së Boca Raton, ndërsa mediat amerikane, përfshirë TMZ, raportuan të parat ngjarjen tragjike. Deri më tani, shkaku i vdekjes mbetet i pasqaruar, pasi autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera.
Sipas informacioneve paraprake, një ambulancë u thirr në një hotel ku Poorstacy qëndronte prej rreth dhjetë ditësh bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Punonjës të hotelit thanë për TMZ se bëhej fjalë për një urgjencë mjekësore dhe se reperi ishte i vetmi person i shtruar atë ditë.
Poorstacy u bë i njohur për stilin e tij të veçantë që bashkonte elemente të emo rap-it, hip hop-it, punk rock-ut dhe heavy metal-it, duke krijuar një identitet muzikor unik.
Ai ka bashkëpunuar me shumë artistë të njohur, përfshirë bateristin e grupit Blink-182, Travis Barker. Dyshja sollën projekte të spikatura si këngët “Choose Life” dhe “Nothing Left”.
Pas lajmit të ndarjes nga jeta, Travis Barker i bëri homazh të ndjerë në Instagram. Ai publikoi një video emocionuese nga performanca e tyre së bashku, si dhe një klip nga kënga “Choose Life”, duke shkruar: “U prehsh në paqe. Nuk do të të harrojmë kurrë.”
