UBT News

Reparti i Urgjencës në QKMF-në e Kamenicës pajiset me mjetet e nevojshme të teknologjisë

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kastrati ka thënë se pas shumë vitesh QKMF-në po e pajisin me aparatura të nevojshme.

“Vitin 2021 e nisëm me pajisjen e QKMF-së me aparatura të nevojshme për Urgjencën në Kamenicë. Pas shumë vitesh, po pajisim këtë repart me të gjitha mjetet e nevojshme të teknologjisë së fundit. Vetë fjala Urgjencë, e tregon më së miri domosdoshmërinë e tyre për qytetarët që kanë nevojë”, ka thënë ai.

I pari i komunës duke treguar për pajisjet me të cilat është furnizuar Urgjenca, ka falënderuar drejtoreshën Suna Zajmi-Krasniqi, për angazhimin në shëndetësi, si dhe drejtorin e QKMF-së, Besim Beqiraj për kontributin e dhënë.

“10 aparatë të oksigjenit, 20 stetoskopë profesional, 10 tensiometër, 2 monitorë për pacientë, 2 aspiratorë, 10 pulsoksimetër, 5 manometër, 2 EKG. Falënderoj drejtoreshën Suna Zajmi-Krasniqi, për angazhimin e vazhdueshëm në shëndetësi dhe koordinimin e punëve në përballjen me COVID-19, si dhe drejtorin e QKMF-së Besim Beqiraj, për gatishmërinë e kontributin e pashoq. Qoftë vit i mbarë!”, është shprehur ai.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi ka thënë se këto pajisje kanë qenë të domosdoshme për repartin e Urgjencës.

“Këto pajisje do t’ua lehtësojnë punën mjaft shumë stafit shëndetësorë, pasi që kanë qenë tejet të nevojshme për QKMF-në. Gjithmonë do të angazhohemi për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

Exit mobile version