Numri i përgjithshëm i nxënësve në institucionet publike parauniversitare në vend ka shkuar duke rënë vazhdimisht në mënyrë drastike. Po ashtu edhe numri i studentëve të rinj në institucionet publike ka rënë dukshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2015/2016 numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka qenë 367 mijë e 940, ndërsa në vitin 2023/2024 ky numër ka rënë në 291 mijë e 882 nxënës ose 76 mijë e 58 më pak në vit.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i nxënësve në klasën e I të shkollës fillore në vitin shkollor 2015/2016 ka qene 26 mijë 959 nxënës, ky numër në vitin 2023/2024 ka rënë në 22 mijë e 765 nxënës, ose katër mijë e 194 vetëm në klasën e parë. Ndërsa, në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, numri i nxënësve të klasës së parë në sektorin publik dhe privat në vitin shkollor 2023/2024 është 23 mijë e 870m raporton KosovaPress.
Dhe numri i studentëve të regjistruar në nivelin bachelor në universitetet publike në vitin akademik 2018/2019 ka qenë 11 mijë e 718 student të rinj, në vitin e parë, ndërkaq në vitin 2023/2014 ky numër është tkurrur në 7 mijë e 890 student të regjistruar në vitin e parë.
Sipas Ministrisë së Arsimit numri i studentëve për vitin akademik 2023/24 në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike dhe private, është 21 mijë e 71 studentë të regjistruar për herë të parë.
Sipas ASK-së numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve në sektorin publik dhe privat, 2023/2024 është 384 mijë e 363. Ky numër i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve në sektorin publik dhe privat në vitin 2022/2023 ka qenë 390 mijë e 895. Kurse në vitin 2021/2022 numri i përgjithshëm i tyre ka qenë 410 mijë e 65.