UBT News

Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës – Njëri dënohet me 3 vite e tjetri me 2 vite burgim

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Jashari u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj u dënua me 2 vite burgim.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykata, i pandehuri Jashari është dënuar me 3 vite burgim dhe gjobë prej 5 mijë eurosh për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Ndërkaq, i pandehuri Baftijaraj është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Gjykata ka urdhëruar që të dy të dënuarit të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit në vlerën prej 36 mijë e 450 euro e 29 centë.

Exit mobile version