Shumë shpesh përmendet koeficienti i inteligjencës (IQ) dhe rëndësia që ka. Mirëpo, ekziston edhe inteligjenca emocionale që luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë dhe në synimet që i kemi për një karrierë të bujshme.
Inteligjenca emocionale në “Forumin Botëror Ekonomik” ishte ranguar si shkathtësia e 6 nga 10 të tilla, që punonjësit duhet ta posedojnë për të pasur sukses në karrierë.
Çka është inteligjenca emocionale?
Inteligjenca emocionale përkufizohet si aftësia e personit për perceptimin, kuptimin, menaxhimin e ndjenjave dhe emocioneve si dhe shfaqja e empatisë karshi personave tjerë, e që do të thotë se ka rëndësi qasja që keni me kolegët e punës.
Nga cilët komponentë përbëhet inteligjenca emocionale?
Inteligjenca emocionale përbëhet nga disa komponentë. Këtë e thekson edhe psikologu i njohur Daniel Goleman. Ai nënvizon komponentët si në vijim:
1. Vetëdija. Kjo ka të bëjë me atë kur një person ka aftësi të pranojë dhe kuptojë emocionet që përjeton dhe se si ndikojnë ato tek të tjerët. Po ashtu, kur personi është në dijeni të shkathtësive dhe mangësive që posedon. Prandaj, në mënyrë që inteligjenca emocionale të jetë më efektive, duhet të fillojë nga vetja juaj, pasi që nuk mund të përmirësoni mirëqenien e të tjerëve pa kuptuar mirë emocionet personale.
2. Vetëkontrolli. Një person me inteligjencë emocionale të zhvilluar ka aftësinë të shfaqë emocionet e veta me pjekuri dhe të vetëpërmbahet kur është nevoja. Me vetëkontroll ju jeni më të përmbajtur kur jeni në bashkëbisedim, pasi shfaqja e emocioneve dhe fjalëve pa menduar mirë mund edhe ta lëndoj bashkëbiseduesin.
3. Motivimi i brendshëm. Personat që janë emocionalisht inteligjentë vetë motivohen. Ata nuk motivohen nga paratë që marrin apo ndonjë çmim. Zakonisht janë optimistë dhe nuk dorëzohen lehtë kur ballafaqohen me sfida të ndryshme si në punë ashtu edhe në jetën private.
4.Empatia. Me empati nënkuptojmë një person që ka aftësi për të njohur dhe kuptuar motivet e tjetrit, e që është thelbësore për zhvillimin dhe ngritjen e suksesshme të raportit ndërmjet kolegëve në punë.
5. Aftësitë sociale. Aftësia për të mbajtur dhe krijuar marrëdhënie shoqërore të reja. Personat me aftësi të tilla janë në gjendje të krijojnë raporte dhe besueshmëri në kohë të shpejtë me kolegët në punë.
Punonjësit me inteligjencë emocionale të zhvilluar kanë karrierë më të suksesshme
Shumë punëdhënës, përdorin IE (Inteligjencën emocionale) si formë për të vlerësuar se cili nga punonjësit ka potencial udhëheqës, prandaj është shumë e rëndësishme që punonjësit t’i kushtojnë më shumë rëndësi inteligjencës emocionale dhe ndikimin që kanë te kolegët e punës.
Çdo ditë ne marrim vendime që bazohen në emocionet tona. Ka momente kur jemi skeptikë se me cilin plan të vazhdojmë dhe cili do të ishte më frytdhënës. Kur e kuptojmë origjinën dhe burimin e emocioneve tona, veçanërisht kur punojmë në grup, arrijmë te harmonizimi dhe mirëkuptimi me grupin më lehtë.
Paralelisht me socializimin e njerëzve, është rritur edhe rëndësia e inteligjencës emocionale si në vend pune ashtu edhe në jetën e përditshme. Para së gjithash, inteligjenca emocionale në vend pune vjen si shenjë e mirëkuptimit, shprehjes së lirë, menaxhimit të marrëdhënieve mes kolegëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të paraqiten gjatë procesit të punës. /AkademiPune