Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parasheh që rritja ekonomike për 2023 të arrijë 3.4 për qind, derisa për vitin e ardhshëm të jetë 4.2 qind. Nga BQK-ja thanë se nuk dihet saktë vlera e monedhave false në tregun e Kosovës, pasiqë sipas tyre ato qarkullojnë në mënyrë ilegale.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në një konferencë për media, ka folur mbi sfidat me të cilat janë përballur gjatë vitit që po lëmë pas, duke thënë se pavarësisht kësaj, ata kanë arritur ta përmbyllin me sukses këtë vit.
Ai theksoi se remitencat e pranuara deri në fund të vitit 2023 pritet të arrijnë vlerën 1.3 miliard euro, për çka shtoi se BQK parasheh që në vitin 2024 remitencat të rriten prej 6 për qind.
“Rritja ekonomike për fund të këtij vitit pritet të arrijë 3.4 për qind, kurse projeksionet tona për vitin 2024-2025, për 4.2, përkatësisht 4 për qind…Sa i përket inflacionit në të dhënat e fundit dhe projeksionet e tona të fund vitit, inflacioni do të mbërrijë në 2.9 për qind, megjithatë në nivel të vitit mesatarja vjetore e inflacionit pritet me rreth 5.1 për qind… Sa i përket remitencave, në fund të nëntorit ka kaluar 1.2 miliard euro. Pritjet janë që fundi i vitit të kalojë 1.3 miliardë…Ka pasur rritje nga viti në vit të investimeve të huaja direkte. Në fund të shtatorit ato kanë vlerën 621 milionë dhe kontributi i patundshmërisë është zvogëluar pak. Kemi fillim të maturimit të tregut të patundshmërive në kuptimin e investimeve të huaja direkte. Fakti që është rritur nënkupton se rritja është zhvilluar nga sektorët të tjerë, sikurse ai financiar dhe të ndryshëm… Janë 136 institucione aktive sot që rregullohen, licencohen, mbikëqyren nga BQK-ja, çdo degë e tyre kur hapet dhe çdo drejtues i ri kur miratohet i nënshtrohet një procesi të aprovimit”, tha Ismaili.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se kreditë deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën prej afro 5 miliardë euro, duke shënuar rritje rreth 600 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha se kreditë për sektorin e ndërmarrjeve, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të kredive në sektorin bankar, evidentohen në shumën prej afro tre miliardë euro, teksa sektori i ekonomive familjare përbën 37 për qind të kredive në sektorin bankar, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi është 6.39 për qind.
Përveç këtyre, Ismaili foli edhe për depozitat, për të cilat tha se vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Ai shtoi se depozitat deri në nëntor të vitit 2023 evidentohen në shumë prej rreth 5.9 miliardë euro.
“Depozitat në sistem po ashtu kanë shënuar rritje graduale, rritja është lineare, kanë arritur gati 5.9 miliardë euro, pra 5.88 miliardë euro…83 për qind e mjeteve që janë mbledhur depozita, janë dhënë kredi, pra nëse e merr 100 përqindëshin një me një i bie 83 centë për çdo euro është kredituar…Kreditë pa shmangshëm janë një prej mbështetësve të ekonomisë, në kuptimin edhe të investimeve, por edhe në kuptimin e sektorit privat, individ dhe atë të bizneseve…Shuma e kredive ka kaluar 4.86 apo 4.9 miliardë euro asete deri në fund të nëntorit…Ndërmarrjet kanë shumicën e kredive rreth 2.9 miliardë, norma e kthimit të ndërmarrjeve gjithashtu është e mirë…Tek ekonomitë familjare, shuma e kredive ka arritur 1.8 miliardë. Tash kemi edhe një rritje të peshës hipotekare në këtë shumë… Fitimet e bankave ndër vite kanë shkuar duke u rritur. Në parim, kjo duhet të jetë një informatë se në Kosovë ka mundësi që sistemi bankar të jetë profitabil, ka mundësi ta kryejë mandatin e vet. Ka mundësi ta rrisë edhe qëndrueshmërinë dhe strukturën e kapitalit”, theksoi Ismaili.
Lidhur me atë se çfarë ka bërë BQK-ja në përmirësimin e situatës me qarkullimin e monedhave false, ai tha se kanë bërë furnizim të ekonomisë me monedha të reja, kanë iniciuar themelimin e Qendrës Kombëtare për luftë ndaj parave të falsifikuara dhe veprime të tjera.
Ndërkaq, i pyetur se a dihet sa është vlera e monedha false që po qarkullojnë në tregun e Kosovës, Ismaili tha se është e pamundur të dihet një shifër e tillë, meqë sipas tij qarkullojnë në mënyrë ilegale.
“Kemi ndërmarrë disa aktivitete kohëve të fundit ka qenë për paratë falsifikuara…Ky nuk është fenomen i një viti, është përpjekje e vazhdueshme, përpjekje e gjithhershme. Gjithmonë grupet ilegale dhe kriminale përpiqen të gjejnë zona se ku të operojnë. Ne duhet të bëjmë të qartë të gjithë institucioneve shtetërore se Kosova nuk është një prej tyre…Kemi lëshuar disa udhëzime në publik, së fundi kemi larguar tarifën për deponim në bankë qendrore dhe në banka për monedha…Ka marrë masa që të furnizojë ekonomitë, përkatësisht bankat me monedha të reja, me sasi të reja, tërhiqen të vjetërsuarat dhe vendosen të rejat, që mos të kenë vështirësi në qarkullim. Kjo është masë e menjëhershme, emergjente, ka edhe masa të tjera që janë ndërmarrë…Në të vërtetë nuk ka shifër të tillë (sa monedha false ka në treg). Ne nuk e kemi dhe nuk mund të ketë, sepse ajo qarkullon në mënyrë ilegale, nuk është e evidentuar”, potencoi Ismaili.
Plani strategjik i BQK-së për 2024-2028 është forcimi i qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar, ngritja e kapaciteteve, digjitalizimi dhe modernizmi i proceseve, avancimi i mbrojtjes së konsumatorit e të tjera.
Në kuadër të konferencës, u bë edhe ndarja e çmimit tradicional të BQK-së, “Ekonomisti i ri”, të cilin e fituan Qëndresë Cuci, Diellëza Mahmuti dhe Agnesa Demolli Mehmeti.