UBT News

Remake-u live-action i “Moana” rrezikon të zhgënjejë në arkëtime

Filmi i ri “Moana”, versioni live-action i animacionit të suksesshëm të Disney të vitit 2016, pritet të dalë në kinema këtë javë, por parashikimet tregojnë se mund të mos arrijë suksesin e pritur në arkëtime.

Sipas analistëve të industrisë së filmit, “Moana” pritet të fitojë mes 50 dhe 85 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në SHBA, dukshëm më pak se remake-u “Lilo & Stitch”, i cili pati një hapje shumë më të fortë.

Që nga publikimi i trailerit të parë në muajin mars, filmi është përballur me kritika të shumta. Një nga temat më të diskutuara ishte paraqitja e Dwayne Johnson, i cili rikthehet në rolin e Maui, ndërsa paruka e tij u bë objekt talljesh në rrjetet sociale.

Ekspertët vlerësojnë se një nga arsyet kryesore të mungesës së entuziazmit është fakti se animacioni origjinal u publikua vetëm në vitin 2016, duke e bërë shumë të hershëm realizimin e një versioni live-action. Për më tepër, suksesi i “Moana 2”, që u publikua në vitin 2024 dhe kaloi shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtime globale, ka bërë që remake-u të mos perceptohet si një ngjarje e veçantë.

Edhe pse filmi ruan pothuajse të njëjtën histori si versioni i animuar, kritikët theksojnë se nuk arrin të përcjellë të njëjtën magji vizuale dhe emocionale që e bëri origjinalin një nga filmat më të dashur të Disney-t./BBC//A.K/

Exit mobile version