Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, gjatë fjalës hyrëse në seancën gjyqësore, theksoi se veprimet e të akuzuarve janë arsyeja kryesore pse është krijuar Gjykata Speciale në Hagë.
West shpjegoi se krijimi i kësaj gjykate nuk lidhet vetëm me krime lufte apo krime kundër njerëzimit, por përfshin në mënyrë specifike krimet e përfshira në këtë rast gjyqësor. Ajo i cilësoi të akuzuarit si pjesë të një grupi “të vogël në Kosovë që vendosin interesin e tyre mbi të tjerët” dhe premtoi të ekspozojë veprimtarinë e tyre.
“Nëse të akuzuarit kanë pasur sukses në ndikimin e dëshmitarëve, kjo nuk ka rëndësi,” tha West, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së procesit gjyqësor dhe të dëshmitarëve.
Prokurorja akuzoi Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale. Sipas saj, ata kanë shkelur vendimet gjyqësore që synonin mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, duke ndikuar në dëshmitë dhe duke cenuar besimin se informacioni i konfidencialitetit do të ruhej.
West tha se Thaçi ka ndërhyrë vazhdimisht në dëshmitë e dëshmitarëve dhe ka shkelur rregullat për mbrojtjen e informacionit konfidencial, ndërsa bashkëakuzuarit e tij kanë marrë pjesë në këto veprime.
Thaçi dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për akuzat – pengim i drejtësisë
Gjatë seancës gjyqësore, të akuzuarit, përfshirë Hashim Thaçin, u deklaruan sërish të pafajshëm për aktakuzat që rëndojnë mbi ta, duke përfshirë tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, mosbindje ndaj gjykatës dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Gjykatësi i informoi ata për të drejtat e tyre, duke përfshirë të drejtën për të mos dhënë deklarata që i inkriminojnë ata ose familjarët e tyre, të mos pranojnë fajësinë dhe të kenë avokat.
Prokuroria njoftoi se Thaçi akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.
Po ashtu, për të njëjtat akuza për pengim të drejtësisë akuzohen edhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, të cilët mbajnë përgjegjësi për tentim ose mosbindje ndaj gjykatës. Të gjithë të akuzuarit janë prezentë në seancë.
REL: Sot deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit për pengim të drejtësisë
Mbrojtja e Thaçit dhe Fazliut, pa deklarata hyrëse
Teksa jemi në pritje të nisjes së seancës në Hagë, përmes parashtrimeve të bëra ditë më parë, mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Fazliut kanë njoftuar se nuk do të bëjë deklarata hyrëse, por do ta rezervojë të drejtën që të deklarohet më vonë gjatë procesit gjyqësor.
Kur u liruan me kusht të akuzuarit e tjerë?
Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 dhe një ditë më pas u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Në maj të vitit pasues, Gjykata vlerësoi se zgjatja e paraburgimit ishte e paarsyeshme dhe ai u lirua në Kosovë nën kushte të rrepta. Por, pas konfirmimit të aktakuzës në dhjetor të vitit 2024 ai u dërgua sërish në paraburgim në Hagë më 6 dhjetor. Një vit më vonë, më 10 dhjetor 2025 ai u lirua sërish me kusht.
Pas konfirmimit të aktakuzës, Fadil Fazliu, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj dhe Kilajn, u arrestuan më 5 dhjetor dhe u dërguan më 6 dhjetor 2024 në paraburgim në Hagë. Ai, së bashku me Smakajn u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, që gjatë periudhës së aktakuzës ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitej dhe gjatë kësaj kohe ai është mbrojtur në liri.
Thaçi në paraburgim
Nga pesë të akuzuarit në rastin kundër pengimit të drejtësisë, vetëm ndaj Hashim Thaçit ka masë paraburgimi dhe ai gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po pret edhe vendimin e trupit gjykues për rastin kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë paraqitjeve para Gjykatës për rastin e dytë, atë të pengimit të drejtësisë, Thaçi nuk ishte deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Deklarimin e pafajësisë ai e bëri me shkrim më 6 janar 2025. I pafajshëm me shkrim u deklarua edhe Smakaj ditë më vonë, përkatësisht më 14 janar 2025.
Për çfarë akuzohen pesë të pandehurit?
Më 29 nëntor 2024, Gjykata Speciale njoftoi se është konfirmuar aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.
Në aktakuzën janë përshkruar takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Prokuroria pretendon se gjatë dhënies së udhëzimeve, Thaçi ka dhënë edhe referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të dëshmitarëve në rastin e parë kundër tij.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
“Përmes veprimeve të tyre, Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe të tjerë tentuan që të komprometonin aftësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të marrë dhe mbrojtur prova relevante të dëshmitarëve”, thuhet në aktakuzë.
ZPS-ja po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin. /REL/
