Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë qëndrimit disa ditor në Lisbonë të Portugalisë, ku është shoqëruar nga Drejtoresha Fisnete Hajrizi dhe Drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti, ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues nga universitete dhe qendra të ndryshme kërkimore.
Këto takime janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UBT-së për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar shkencën dhe arsimimin cilësor.
Gjatë këtyre takimeve, Rektori Hajrizi ka pasur mundësinë të diskutojë mbi avancimin e marrëveshjeve të mëparshme të bashkëpunimit, veçanërisht me profesorin Alban Kuriqi dhe me Drejtorin e ISCTE (Instituto Universitário de Lisboa), Rui Vinhas da Silva. UBT ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ISCTE disa kohë më parë, e cila ka hapur mundësi të reja për shkëmbimin e studentëve, hulumtime të përbashkëta dhe zhvillimin e projekteve inovative.
Po ashtu, Rektori Hajrizi ka zhvilluar bisedime me përfaqësues nga Universidad Nova de Lisboa, duke shprehur interesin e UBT-së për të thelluar marrëdhëniet akademike dhe për të krijuar programe të përbashkëta që do t’i shërbejnë studentëve të të dyja institucioneve.