Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka zhvilluar takim me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, me të cilin kanë bashkëbiseduar për projekte zhvillimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shkodrës.
Temë bosht e takimit ishte rëndësia e bashkëpunimit mes akademisë/universiteteve dhe pushtetit lokal, si dhe impakti real i këtij bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjes së cilësisë së jetesës në përgjithësi.
Në takim u diskutua po ashtu nevoja dhe mundësitë reale të digjitalizimit të shërbimeve dhe sektorëve si arsimi e shëndetësia, mbrojtja e mjedisit e menaxhimi i mbeturinave, zhvillimi i sektorit të ICT-së dhe inovacionit, si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm.
Rektori Hajrizi dhe kryebashkiaku Beci u pajtuan për vazhdimin e komunikimit ndër-institucional për t’i hapur rrugë shfrytëzimit të potencialit njerëzor e intelektual të dyanshëm, ndërsa rektori Hajrizi shprehu edhe një herë gatishmërinë e UBT-së që me kapacitetet, resurset dhe infrastrukturën e vet të ndihmojë bashkinë e Shkodrës në implementimin e agjendës së saj për zhvillim të qëndrueshëm të bazuar në shfrytëzimin racional e efiçient të resurseve dhe potencialit të saj zhvillimor.