Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë një interviste në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, deklaroi se UBT ka ndërtuar një platformë të qëndrueshme dhe të avancuar për aplikimin e inteligjencës artificiale (IA) në arsim, duke u bërë ndër institucionet e para në rajon që e kanë integruar këtë teknologji në të gjitha nivelet e mësimdhënies.
Sipas Rektorit, për katër vite me radhë, UBT ka punuar intensivisht për të ndërtuar infrastrukturën teknologjike dhe për të zhvilluar module të reja që bazohen në IA.
“Ne kemi krijuar një superkompjuter, qendër për të dhëna të mëdha (Big Data), 5G, dhe kemi zhvilluar madje edhe profesorë të bazuar në AI, që mund të ndërveprojnë me studentët”, deklaroi Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT tashmë ka zhvilluar një staf të përgatitur që mund të integrojë teknologjitë më të fundit në kurrikula, duke lejuar mësimin virtual dhe hibrid përmes platformave të zgjuara.
“Studentët tanë sot mësojnë përmes inteligjencës artificiale, punojnë në projekte reale dhe janë të përgatitur për tregun global të punës”, theksoi ai.