Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi një takim të frytshëm e shumë përmbajtësor me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, me të cilin diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
Rektori Hajrizi e njoftoi kryetarin Hamza me projektet e shumta që ka zhvilluar e po zhvillon UBT në rrafshin e pushtetit lokal, ku përfshihen digjitalizimi i administratës, shëndetësisë, arkivit, krijimi i hartave zonale, zhvillimi i platformave për Smart City, projekte të tjera dizajnimi, studimi e fizibiliteti në fusha të ndryshme me rëndësi për nivelin lokal.
Kryetari Hamza, nga ana e tij vlerësoi lartë arritjet e UBT-së si institucion, duke e parë modelin e ofrimit të studimeve përmes kombinimit me teknologjinë e fundit, punës praktike e bashkëpunimit me industrinë, si domosdoshmëri të kohës.
Kryetari Hamza njoftoi rektorin Hajrizi me punën që po bën kjo komunë dhe me planet e tij për qytetin e Mitrovicës, që do ta kenë në qendër qytetarin, e sidomos për projektet e tij për krijimin e kushteve për avancimin e të rinjve në secilën fushë e me theks të veçantë në fushën e teknologjisë e inovacionit.
Si rektori Hajrizi ashtu edhe kryetari Hamza u dakorduan për vazhdim të kontakteve e konkretizim të bashkëpunimit.