Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka zhvilluar një takim me anëtarët e rinj të Këshillit Studentor, me të cilët diskutoi rreth çështjeve të ndryshme, në veçanti për përfaqësimin e studentëve të UBT-së.
Rektori Hajrizi falënderoi përfaqësuesit e rinj të Këshillit Studentor për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të përfaqësuar studentët e UBT-së, si dhe u premtoi atyre për mbështetjen e pa rezervë të UBT-së karshi përfaqësimit sa më të mirë dhe sa më të denjë të studentëve.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e studentëve, mundësitë e shumta që ofron UBT përmes infrastrukturës moderne dhe të pajisur me teknologjitë më të sofistikuara të kohës, si dhe për programet e përafërta me ato në universitetet evropiane dhe amerikane.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për bashkëpunimet e UBT-së me universitetet më prestigjioze në botë, të cilat u ofrojnë studentëve shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të tyre, duke u mundësuar edhe krijimin e marrëdhënieve të mira me të rinj nga shtete dhe kultura të ndryshme në botë.