Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi një takim frymëzues me Christopher Hyland, një nga mbështetësit më të madh të shqiptarëve në Amerikë, bashkëpunëtor i afërt me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, njëherit themelues i kompanisë, Christopher Hyland, Inc,.
Rektori Hajrizi falënderoi për mikpritjen Christopher Hyland, gjithashtu dhe për angazhimin e tij të pandërprerë ndaj avancimit të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botën.
Në këtë takim, Rektori Hajrizi njoftoi Christopher Hyland për punën dhe të arriturat e Qendrës Hyland për Studime Globale në UBT, duke shkëmbyer ide dhe plane për të ardhmen e saj.
UBT në vitin 2022 ka ndarë çmimin më të lartë për ekselencë “Honor Degree – Leadership Excellence Award”, për Christopher Hyland, duke vlerësuar kështu kontributin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme dhënë popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, konsolidimin e miqësisë mes dy kombeve dhe shteteve, si dhe për ngritjen e vlerave shqiptare në ShBA.
Rektori Hajrizi dhe Christopher Hyland diskutuan edhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mundshëm me institucionet tjera akademike të njohura si New University Brussels dhe Universiteti i Harvardit. Në këtë rrugëtim të shkëlqyer, të dyja palët shprehen gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në projektet e ardhshme.
Ky takim u shënua si një hap i rëndësishëm drejt përparimeve të mëtejshme dhe realizimit të synimeve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe studimeve globale.