Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me drejtuesit e kompanisë prestigjioze Interporto S.p.A në qytetin e Bolonjës – një ndër qendrat më të mëdha logjistike në Evropë, e njohur për kapacitetet e saj të avancuara në transport dhe menaxhim logjistik.
Në këtë takim morën pjesë Dr. Stefano Caliandro, Avokat dhe lektor i së Drejtës së Punës dhe të Drejtës së BE-së në Universitetin e Bolonjës, Giuseppe Dall’Asta, Menaxher i përgjithshëm i Interportos dhe Dr. Alessandro Alberani, i cili ka qenë edhe president i mëparshëm i Interportos dhe i organizatës ACER.
Takimi u fokusua në identifikimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe INTERPORTO S.p.A, me qëllim krijimin e urave të reja të bashkëpunimit akademik dhe profesional.
Ky takim vjen në vazhdën e synimeve të UBT-së për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë në sektorë strategjikë, si logjistika, inxhinieria e ndërtimit, infrastruktura dhe planifikimi hapësinor, ku UBT tashmë ofron programe akademike cilësore dhe të përqendruara në tregun global të punës.
Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e kësaj vizite për vendosjen e një partneriteti afatgjatë me një nga portet më të rëndësishme të Italisë, me qëllim shfrytëzimin e përvojës dhe teknologjisë së avancuar të Bolonjës si model për ndërtimin e portit të thatë të Kosovës, i cili do të shërbente si nyje e re logjistike rajonale dhe nxitës për zhvillimin ekonomik të vendit.