Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ish-studentin dhe Alumnin e UBT-së, Driton Shala, i cili tani udhëheq Departamentin e Prokurimit në Universitetin e Columbias.
Në takimin e tyre, Rektori Hajrizi shprehu kënaqësinë e tij për të takuar Alumnin e UBT-së, dhe shprehu interesimin për bashkëpunim të mundshëm mes UBT-së dhe Universitetit të Columbias.
“Sukseset e Driton Shalës janë frymëzim për të gjithë ne në UBT. Ai është një shembull i shkëlqyeshëm i arritjeve të mundshme për studentët tanë. Falënderoj Dritonin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe për frymëzimin që na ofron”, tha Rektori Hajrizi.
Gjatë takimit, Driton Shala prezantoi Rektorit Hajrizi shumë aspekte të Universitetit të Columbias, duke përfshirë fakultetet, bibliotekën dhe infrastrukturën e avancuar. Diskutuan gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Ky takim sjell një potencial të madh për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe hulumtimit ndërmjet UBT-së dhe Universitetit të Columbias, dhe është një hap i rëndësishëm drejt ndërthurjes së njohurive dhe përvojave të tyre.