UBT News

Rektori Hajrizi shpalos para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare platformën digjitale “PlanifikoVET”

Përmes platformës online, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka prezantuar para pjesëmarrësve të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të tjerë, platformën digjitale “PlanifikoVET”, e cila është pjesë e formulës së financimit për arsimin profesional.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se ka qenë kënaqësi që UBT të jep kontributin dhe ekspertizën e saj në procesin e analizimit të financimit të arsimit profesional.

“Për ne ka qenë kënaqësi e veçantë të kemi mundësi të kontribuojmë në procesin e analizës së financimit të arsimit profesional, duke marrë parasysh se kjo formulë është shumë e rëndësishme, dhe gjithmonë e potencojmë si komponentë të rëndësishme të zhvillimit në përgjithësi, për krijimin e kompetencave por edhe ndikimin në zhvillimin e përgjithshëm dhe specifik ekonomik të Kosovës”, ka thënë rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi, para pjesëmarrësve, në mënyrë virtuale ka shtjelluar në detaje edhe formën se si kanë punuar dhe se si kanë ardhur deri tek kjo formulë e financimit, që nga kompletimi i zingjirit të furnizimit, ofrimi i tre skenariove, si dhe udhërrëfimin për mënyrën se si funksionon platforma “PlanifikoVET”, në mënyrë që të rritet cilësia e arsimit profesional.

“Në bazë të gjendjes kemi parë se mund të riorganizohet aspekti financiar pa dëmtuar aspektet ligjore, pa hyrë thellë në ligjet e financimit, prokurimit, komponentëve të ligjeve të arsimit, por me një adaptim, me një ndryshim, duke iu ofruar rrethanave të nevojshme të fushave të caktuara të arsimit profesional mundësi për kompletimin e financimit, në mënyrë që të jemi më cilësor në aspektin e ofrimit të këtij edukimi”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

Pjesëmarrës në këtë takim përveç përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare ishte edhe ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila përkrahu formulën e financimit për arsimin profesional si dhe platformën e zhvilluar, duke theksuar se tashmë duhet të merret një vendim për mënyrën se si do të shkojë tutje ky proces.

“Si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, sigurisht që i jemi shumë mirënjohës të gjithë donatorëve që na kanë mbështetur në këtë proces gjatë viteve, sidoqoftë mendojmë se tani është momenti kur pas shumë diskutimeve, propozimeve, trajtimit të ideve të ndryshme, të marrim vendimin për një zgjidhje konkrete të kësaj problematike sepse tashmë duhet të kemi një situatë më të mirë dhe një financim që mundëson mbarëvajtjen e punës në shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional”, ka thënë ministrja Nagavci.

Kjo formulë e financimit është zhvilluar nga UBT për programin ALLED2, financuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim, formulë në të cilën shtjellohen në detaje skenarët të cilët duhet ndjekur për një zgjidhje efektive, duke sjellë analiza dhe rekomandime të opsioneve të ndryshme të mundshme rreth financimit të AAP-së në Kosovë, brenda kornizës legjislative ekzistuese.

UBT vazhdimisht është shquar si institucion i arsimit të lartë për kontributin në arsimin profesional, veçanërisht në fushat që ndërlidhen me STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics), në ngritjen e infrastrukturës moderne, si dhe në ofrimin e praktikave më të mira austriake, gjermane, zvicerane, e të shteteve të ndryshme të botës

Exit mobile version