Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, priti në takim profesorin e Universitetit Keio nga Japonia, Masahito Kawamori, me të cilin diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes dy universiteteve.
Me mbështetjen e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë, ky takim kishte për qëllim kultivimin e lidhjeve të forta mes dy vendeve, duke bashkëpunuar në fushën e arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, përpjekjeve të përbashkëta kërkimore, si dhe nisma të ndryshme reciproke.
Rektori Hajrizi dhe profesori Kawamori, ndër të tjera diskutuan për potencialin e madh të dy institucioneve për projekte kërkimore bashkëpunuese, të cilat mund të hapin rrugë për zbulime në fusha të ndryshme akademike.