Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, një delegacion nga universiteti “Necmettin Erbakan” nga Turqia, të prirë nga rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Zekeriya Mızırak.
Në këtë takim, rektori Hajrizi ka njoftuar delegacionin nga universiteti “Necmettin Erbakan”, me punën që është duke zhvilluar UBT, si dhe për angazhimin institucional lidhur me shkencën, teknologjinë dhe inovacionin.
Ndër të tjera, rektori Hajrizi e njoftoi rektorin Mızırak me kushtet që UBT i ka krijuar për të gjithë studentët dhe të rinjtë në përgjithësi në Kosovë, në mënyrë që arsimimi i tyre të jetë në një nivel të barabartë me të gjithë të rinjtë e botës, si dhe me teknologjitë më të reja, realitetin virtual e rrjetin global 5G.
Në këtë vizitë, rektori Hajrizi së bashku me delegacionin nga Turqia diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme, në mënyrë që të krijohen hapësira të reja veprimi për të rinjtë nga të dyja vendet.
Pjesë e delegacionit nga universiteti turk “Necmettin Erbakan”, ishte edhe drejtoresha e njësisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Şeyma Akın, zëvendës-drejtoresha e njësisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Cemile Doğan, si dhe koordinatori ndërkombëtar i studentëve, Fatih Büyükmatür.