Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga përfaqësues të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri ka mirëpritur në një takim pune Bordin e Industrisë, meqë rast diskutuan për tema dhe çështje të ndryshme që i ndërlidhin të dyja palët.
Në këtë takim, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi theksoi rolin që ka pasur dhe vazhdon ta ketë industria dhe bordi ndër vite, duke i ndihmuar edhe UBT-së me sugjerime të ndryshme mbi nevojat e tregut të punës dhe aftësitë që kërkohen.
“Roli i Bordit të Industrisë jo vetëm në shoqëri por edhe për ne si UBT është i rëndësishëm, pasi që ne ndihmojmë njëri-tjetrin me mjetet që kemi në dispozicion. Pra, ne ofrojmë studentë të shkathët për punë profesionale, ndërkaq bordi ofron një bashkëpunim të ngushtë dhe ekspertizë për atë që kërkohet në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë rektori Hajrizi.
Shefi ekzekutiv i kompanisë softuerike, CREA-KO, Avni Ternava ka vlerësuar se bashkëpunimi me UBT-në ka bërë të mundur që edhe kompania e tij të ketë një zhvillim më të madh, si në rekrutimin e stafit ashtu edhe në punën profesionale.
Nga ana tjetër, shefi ekzekutiv i kompanisë CELONIS, Shpend Sadiku, ka theksuar rëndësinë e punës së përbashkët më UBT-në, duke thënë se gjysma e stafit në kompaninë e tij janë studentë të UBT-së.
Nga Fakulteti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, prof.dr. Besnik Qehaja, ka shtuar se bashkëpunimi me industrinë është shumë i rëndësishëm, andaj edhe takimet e këtij lloji janë të mirëseardhura për përmirësimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, duke inkurajuar industrinë që të përfshihet edhe më shumë në mënyrë aktive në projektet e përbashkëta, konferencat ndërkombëtare, si dhe bursat që UBT i ofron.
Në këtë takim, drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota, ka shpjeguar progresin që është bërë në saje të bashkëpunimit të mirëfilltë mes industrisë dhe institucionit, duke shtjelluar edhe sfidat dhe mundësitë që kanë pasur sidomos në kohën e pandemisë.
Nga ky takim, Bordi i Industrisë është ndarë i kënaqur me zhvillimin e kurrikulës, punës praktike dhe punësimit, si dhe mundësisë së kontribuimit në zhvillimin e programit, duke parë më shumë nga përspektiva e punës praktike me profesionistët e rinj.