Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka prezantuar para institucioneve përkatëse të sistemit të AAP-së në Kosovë, si dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Financave, formulën e financimit për arsimin profesional të quajtur: “Planifikimi Financiar për Sistemin e AAP-së në Kosovë – Propozim për Përmirësim”.
Në këtë prezantim, rektori Hajrizi para të pranishmëve në detaje ka shpalosur këtë formulë, në të cilën ka shtjelluar edhe web-platformën për planifikim financiar të AAP-së, duke treguar rëndësinë e planifikimit financiar në institucionet arsimore në vend.
Kjo formulë e financimit është zhvilluar nga UBT për programin ALLED2, financuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim, formulë në të cilën shtjellohen në detaje skenarët të cilët duhet ndjekur për një zgjidhje efektive, duke sjellë analiza dhe rekomandime të opsioneve të ndryshme të mundshme rreth financimit të AAP-së në Kosovë, brenda kornizës legjislative ekzistuese.
UBT shquhet për kontributin në arsimin profesional, veçanërisht në fushat që ndërlidhen me STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics), në ngritjen e infrastrukturës moderne, si dhe për ofrimin e praktikave më të mira austriake, gjermane, zvicerane, e të shteteve të ndryshme të botës.