Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron në Lisbonë të Portugalisë, ku do të mbajë një prezantim të rëndësishëm rreth temës: “UBT – A Story of an extraordinary journey from the scratch to the globally recognized HEI: Breaking the barriers and putting behind the obstacles of a society in transition”, në Forumin ACEEU Evropë-Afrikë 2024, duke përfaqësuar UBT-në dhe Kosovën në një nga ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare për universitetet ndërmarrëse dhe inovative.
Një nga pikat kyçe në këtë forum do të jetë ceremonia e ndarjes së çmimeve nga “Triple E Awards”, ku Rektori Hajrizi do të marr pjesë, ndërsa UBT është finalist në dy kategori: Kategoria Institucionale dhe Kategoria Individuale.
Kjo është një mundësi e veçantë për UBT-në, duke pasur parasysh ndikimin që këto çmime kanë në arenën ndërkombëtare, duke vendosur UBT-në dhe Kosovën në hartën e institucioneve që kontribuojnë në përparimin global të arsimit dhe teknologjisë.
Gjatë vizitës së tij, Rektori Hajrizi do të takohet me personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të arsimit, teknologjisë dhe inovacionit, me qëllim të krijimit të bashkëpunimeve strategjike që do të ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve akademike në Kosovë.