UBT News

Rektori Hajrizi për Albanian Post: Metaversi është përgjigjja e njerëzimit për të rritur produktivitetin dhe zhvillimin

Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në një prononcim për Albanian Post, ka theksuar se Metaversi përfaqëson një fazë të re të evolucionit teknologjik dhe njerëzor, duke e konsideruar atë si një mjet për rritjen e produktivitetit, efikasitetit dhe zhvillimit në të gjitha sferat e jetës.

Metaversi është një teknologji, një proces, një zgjidhje që njerëzimi e kërkon për të rritur produktivitetin, efikasitetin, zhvillimin. Për hir të këtyre qëllimeve, shumë mendojnë se bota reale nuk është e mjaftueshme, prandaj duhet të krijohet edhe një botë virtuale”, u shpreh Hajrizi.

Sipas Hajrizit, kjo hapësirë digjitale na mundëson të përjetojmë përvoja që ndryshe do të ishin të paarritshme për shkak të kostos apo kufizimeve fizike.

Mund të përjetojmë diçka që, ndoshta, për shkak të kostos financiare apo kohës, nuk do të arrinim ndryshe” tha Hajriziduke shtuar se “sigurisht që kemi ende shumë për të shtjelluar; duhet ta trajtojmë me kujdes, por gjithsesi ndikimi tashmë është i dukshëm”, shtoi ai.

Hajrizi, gjithashtu vuri në pah konceptin e “Digital Twin” – përfaqësimi virtual i realitetit në kohë reale. Ky koncept, që për shumëkënd mund të tingëllojë si shkencë fiktive, në të vërtetë është një nga drejtimet më konkrete dhe praktike të zhvillimit të Metaversit.

Në këtë drejtim, UBT ka qenë një nga institucionet e para në rajon që ka eksperimentuar dhe investuar në integrimin e koncepteve të tilla digjitale në infrastrukturën arsimore. Kampusi i UBT-së është shndërruar në një hapësirë model për aplikimin e teknologjive të avancuara si Internet of Things(IoT), sensorë të zgjuar, platforma interaktive dhe sisteme të menaxhimit inteligjent, duke u shndërruar në një shembull konkret se si një “Digital Twin” mund të funksionojë në praktikë.

“’Digital Twin’ do të thotë që jeta reale të përfaqësohet në kohë reale në botën virtuale. Kjo është një përjetim virtual i realitetit të asaj që ndodh në kampus. Unë, nga këtu ku jam, mund ta shoh kampusin tim, lëvizjet, parametrat, temperaturën, energjinë – gjithçka që dikush tjetër e sheh fizikisht, unë mund t’i qasem në mënyrë virtuale, edhe pse fizikisht nuk jam aty”, thekson Hajrizi./Albanian Post/

Exit mobile version