Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me qëllim lidhjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve me theks fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Në këtë takim, rektori Hajrizi dhe kryetari Hyseni, kanë diskutuar për krijimin e platformave të ndryshme digjitale, duke vënë theksin në bibliotekën dhe shkollat e Komunës së Gjilanit.
Përmes platformave digjitale, UBT dhe Komuna e Gjilanit synojnë lehtësimin e shërbimeve shkollore dhe çasje mobile të sigurt dhe pa pengesa me pajisje të ndryshme teknologjike dhe inovative.
Të dyja palët u pajtuan që të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e të dy institucioneve, me qëllim që në të ardhmen të implementohen projekte profesionale për qytetin e Gjilanit dhe qytetarët e saj.
Bashkëpunimi i UBT-së me Komunën e Gjilanit është një vazhdimësi e punës së përbashkët për sjelljen e inovacioneve të reja, duke mos harruar bashkëpunimin për platformat si “Smart City”, “Eco City”, aplikacionin për leje ndërtimore, e të cilat synojnë që Gjilani të orientohet drejt një koncepti të zhvillimit të mençur dhe të qëndrueshëm.