Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë si panelist në konferencën që shënoi Ditën Botërore të Standardeve, organizuar nga Agjencia Kosovare e Standardizimit dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Në këtë konferencë, pjesë e së cilës ishte edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, rektori Hajrizi theksoi se standardet janë themeli i zhvillimit të cilësisë dhe inovacionit nëpër sektorë të ndryshëm.
Rektori Hajrizi në panelin me temë: “Standardet në funksion të Këshillit Profesional të Standardizimit, Komiteteve Teknike dhe Komponentëve të Infrastrukturës së Cilësisë”, përmendi edhe nevojën e pjesëmarrjes aktive të universiteteve në proceset e standardizimit, duke qenë kështu një investim shumë i mirë në arsimin dhe zhvillimin e aftësive të studentëve për integrim në industrinë dhe tregun e punës.
Ndër të tjera, rektori Hajrizi, ndau me pjesëmarrësit punën pionere që UBT ka kryer ndër vite në fushën e standardizimit dhe cilësisë, duke theksuar projektet dhe inovacionet specifike që ka realizuar UBT.